SHBA dërgon avionin më të madh ushtarak në botë pranë kufirit me Iranin

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara kanë dërguar në Arabinë Saudite avionin më të madh ushtarak në botë, një lëvizje që shihet si sinjal i qartë i përgatitjeve për përshkallëzim të mundshëm ndaj Iranit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Flightradar24, avioni C-5M Super Galaxy u nis nga baza ajrore Aviano në Itali dhe mbërriti pranë kryeqytetit saudit, Riad, të enjten në mbrëmje.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë mbi këtë lëvizje, por mbërritja e një avioni të tillë, i aftë të transportojë tanke, helikopterë dhe mjete të rënda ushtarake, përkon me zhvillimet në rritje në Lindjen e Mesme, ku SHBA po shton praninë ajrore në rajon përmes avionëve F-16, F-22 dhe F-35.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur presidenti Donald Trump po shqyrton nëse do të përfshijë SHBA-të në konfliktin midis Izraelit dhe Iranit.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump ka vendosur një afat prej dy javësh për të marrë vendimin përfundimtar.

“Duke marrë parasysh se ekziston një mundësi e konsiderueshme për negociata që mund ose jo të ndodhin në të ardhmen e afërt, presidenti do të vendosë brenda dy javëve nëse do të angazhohemi ushtarakisht”, deklaroi zëdhënësja Karoline Leavitt.