Një shqiptar i dënuar për trafik të heroinës, i cili pozonte në foto me 250 mijë paund para të gatshme, është lejuar të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, pavarësisht përpjekjeve të Home Office dhe Agjencisë Kombëtare të Krimeve (NCA) për ta dëbuar.
Olsi Beheluli, 33 vjeç, u dënua me 11 vite burg për rolin e tij si pjesë e një grupi të organizuar që shpërndante heroinë me pastërti të lartë.
Ai u arrestua me tetë kilogramë heroinë, me një vlerë të vlerësuar në rrugë prej 200 mijë paundësh — një sasi që, sipas NCA-së dhe Home Office-it, tregon qartë pozitën e tij të lartë brenda rrjetit kriminal.
Pas arrestimit në vitin 2015 gjatë një aksioni në veriperëndim të Londrës, autoritetet zbuluan edhe një foto të Behelulit duke pozuar përpara 250 mijë paundëve cash. Ai u shpall fajtor më 1 prill 2015 për komplot për të shpërndarë drogë të klasit A.
Megjithatë, pavarësisht kësaj historie kriminale, një gjykatë e nivelit të ulët refuzoi pretendimin se kjo sasi droge provonte përfshirjen e tij në aktivitet të mëparshëm kriminal. Gjykata i dha të drejtë Behelulit në apelin ndaj dëbimit, duke shkaktuar reagime të forta nga autoritetet britanike.
Home Office e cilësoi “të pabesueshme” idenë që Beheluli të kishte qenë i panjohur për botën e krimit deri në momentin e arrestimit, veçanërisht duke qenë se ai kishte aplikuar për nënshtetësi britanike në vitin 2014, vetëm tetë muaj para se të arrestohej, duke mohuar se kishte ndonjë përfshirje kriminale.
Gjykata e migracionit argumentoi se mungesa e dëshmive të drejtpërdrejta nga policia apo mbikëqyrja nga NCA nuk mjaftonin për të provuar se ai kishte qenë i përfshirë në krim para arrestimit, duke e konsideruar deklarimin e tij si të vlefshëm.
Por vendimi u ankimua dhe tribunali i apelit e rrëzoi atë, duke urdhëruar një rishqyrtim të çështjes.