Izraeli ka paralajmëruar se raketat e lëshuara nga Irani mund të përfshijnë edhe Evropën, ndërsa po intensifikon përpjekjet për të fituar mbështetjen e vendeve perëndimore për luftën kundër Teheranit, përmes një fushate të gjerë reklamuese në rrjet.
Qeveria izraelite ka nisur publikimin e reklamave me tone alarmante, të shpërndara në rrjete sociale që synojnë të justifikojnë sulmet ajrore ndaj objektivave iraniane.
Mesazhi kryesor i fushatës është se Irani po zhvillon raketa me rreze veprimi deri në 4,000 kilometra, të afta për të mbajtur ngarkesë bërthamore – duke vënë kështu Evropën brenda shënjestrës së mundshme të një sulmi.
Një nga reklamat, e shoqëruar me imazhe raketash dhe muzikë dramatike, pohon: “Programi i raketave balistike të Iranit nuk është vetëm kërcënim për Izraelin, por për të gjithë botën perëndimore. Kjo nuk është kërcënimi i së nesërmes. Është realiteti i sotëm.”
Në një tjetër video thuhet:
“Ndërsa Irani synon qytetet me qëllim, Izraeli vepron me saktësi, duke goditur vetëm objektiva ushtarake dhe terroriste, jo civilë.”
Të gjitha videot përfundojnë me sloganin: “Izraeli bën atë që duhet bërë.”
Fushata është shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, Itali dhe SHBA, dhe zyrtarisht promovohet nga llogaritë e ambasadave izraelite, duke synuar të rikthejë mbështetjen publike në Perëndim, në një moment kur ajo ka rënë ndjeshëm.
Sipas një sondazhi të YouGov, mbështetja për Izraelin në Evropë ka rënë në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë, me më pak se 20% e të anketuarve që shprehen pozitivisht për vendin.
Anketimi është bërë pas shembjes së armëpushimit në Gaza dhe përpara nisjes së sulmeve ndaj Iranit.
Ndërkohë, Evropa mbetet e ndarë në reagimet ndaj konfliktit. Britania, Franca dhe Gjermania kanë shprehur mbështetje për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, por kanë kërkuar ulje tensionesh.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kundër përmbysjes së regjimit iranian me forcë, duke thënë se një zhvillim i tillë do të sillte “kaos”.
Nga ana tjetër, Spanja ka kërkuar embargo armësh ndaj Izraelit, ndërsa Norvegjia ka dënuar sulmet si shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të mblidhen të hënën për të diskutuar hapat e radhës të mundshëm në lidhje me konfliktin.
Zyrtarë të qeverisë izraelite nuk kanë komentuar publikisht mbi fushatën deri tani.