Një video e postuar në rrjetin social X nga televizioni shtetëror iranian ka ngritur alarmin ndërkombëtar.
Në pamjet që janë shpërndarë nga Agjencia Arabe e Lajmeve Iran, shfaqet një dorë duke përkëdhelur një bombë bërthamore, ndërsa në ekran shkruhet fjala “ndoshta” – një sinjal shqetësues, në një moment kur tensionet me Izraelin dhe SHBA-të kanë mbërritur në kulm.
ربما..
Maybe pic.twitter.com/tB02PrPbp1— إيران بالعربية (@iraninarabic_ir) June 17, 2025
Videoja u publikua ndërsa Izraeli ka vazhduar për të gjashtën ditë radhazi sulmet e tij ndaj qendrave ushtarake dhe bërthamore të Iranit, duke shënjestruar komandën ushtarake dhe duke vrarë disa nga shkencëtarët më të avancuar bërthamorë të vendit.
Izraeli ka deklaruar se këto veprime janë të domosdoshme për të ndaluar Teheranin nga prodhimi i një arme bërthamore, ndërkohë që Irani mohon akuzat dhe insiston se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore dhe energjetike.
Në Uashington, Presidenti Donald Trump ka shtuar presionin mbi Iranin, duke kërkuar një “dorëzim pa kushte” nga udhëheqja e Teheranit. Në një postim në Truth Social, Trump ka bërë të qartë se SHBA nuk do të lejojë asnjëherë që Irani të prodhojë një armë bërthamore. Ai theksoi gjithashtu se është i gatshëm të ndërhyjë ushtarakisht nëse nevojitet.
Sakaq, forcat amerikane në Lindjen e Mesme janë vendosur në gatishmëri të lartë, duke i dhënë Uashingtonit mundësinë që të bashkohet zyrtarisht në ofensivën izraelite, nëse situata përshkallëzohet më tej.
Mes kësaj atmosfere tensioni, videoja me simbolikë bërthamore nga Irani shihet si një mesazh i fshehtë ose një akt propagandistik i rrezikshëm, i cili ka shtuar frikën për një përballje të mundshme bërthamore në rajon.