Një avion Airbus A319 me 150 pasagjerë lëshoi një sinjal të klasifikuar si “EMERGJENCË E PLOTË” pas zbulimit të tymit në kabinën e pilotëve, duke u detyruar të bëjë ulje emergjente në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës paraditen e së enjtes.
Sipas transmetuesit shtetëror grek ERT, piloti informoi menjëherë kontrollin ajror dhe kërkoi leje për ulje të menjëhershme. Ende nuk është konfirmuar nëse fluturimi ishte i planifikuar, çarter apo i një natyre tjetër.
Njësitë e zjarrfikëses u vendosën në gatishmëri në pistë, por ndërhyrja e tyre nuk u bë e nevojshme. Avioni u ul pa incidente dhe asnjë nga pasagjerët nuk u lëndua.
Për shkak të situatës, operacionet në aeroport u pezulluan përkohësisht, por po rifillojnë gradualisht sipas protokolleve standarde të emergjencës.