Greqia ka vendosur të transferojë një numër të pacaktuar sistemesh raketash Patriot në bazën detare të Marinës Helene dhe NATO-s në gjirin e Sudës në Kretë, sipas raportimeve të gazetës greke Kathimerini.
Ky veprim vjen në kuadër të një përgatitjeje të shtuar për mbrojtjen e objektivave strategjike amerikane në rajon, në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar ndjeshëm. Lëvizja shihet si një masë parandaluese.
Sistemet Patriot, të njohura për aftësinë e tyre për të goditur si avionë, ashtu edhe raketa balistike, konsiderohen ndër mjetet më të avancuara të mbrojtjes ajrore në arsenalin perëndimor.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump thuhet se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse SHBA do të përfshihet ushtarakisht në konfliktin e hapur mes Izraelit dhe Iranit, por ka aprovuar planet për sulme të mundshme ndaj objektivave iraniane, në rast se negociatat nuk japin rezultat.
Pozicionimi i sistemit të avancuar të mbrojtjes Patriot në Kretë tregon angazhimin e Greqisë për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të forcuar bashkëpunimin strategjik me SHBA-në dhe NATO-n, në një moment kur kriza në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë më të ndërlikuar.