Izraeli ka realizuar një tjetër goditje fatale kundër Iranit, duke vrarë gjatë natës Ali Shadmani, kreun e sapoemëruar të shtabit të luftës së Forcave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Komandanti i lartë u eliminua përmes një sulmi ajror preciz në zemër të Teheranit, vetëm katër ditë pasi kishte marrë detyrën pas vrasjes së paraardhësit të tij, gjeneralit Gholamali Rashid.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmi u krye mbi një qendër komanduese të manaxhuar drejtpërdrejt nga Shadmani dhe ndihmësit e tij më të afërt, bazuar në informacione të sakta të inteligjencës izraelite. Shadmani konsiderohej një nga figurat më kyçe në planifikimin e sulmeve kundër Izraelit.
“Na u dha një mundësi e rrallë për të eliminuar një nga figurat më të larta të strukturës ushtarake iraniane. Dhe e shfrytëzuam pa hezitim,” thanë zyrtarë të IDF në një deklaratë.
Vdekja e Shadmanit vjen menjëherë pas një vale vrasjesh të komandantëve më të fuqishëm iranianë. Në 24 orët e para të ofensivës izraelite të koduar “Operation Rising Lion”, u vra edhe Mohammad Bagheri – shefi i përgjithshëm i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, figura më e lartë ushtarake në vend.
Bagheri kishte shërbyer në IRGC që nga viti 1980, duke ndihmuar në themelimin e njësisë së inteligjencës gjatë luftës Iran-Irak. Edhe pse njihej si më i moderuar se komandantët e tjerë, ai ishte një hallkë strategjike në strukturën ushtarake të regjimit.
Ndër komandantët e tjerë të vrarë në ditët e fundit janë:
Hossein Salami – komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare
Amir Ali Hajizadeh – shefi i forcës ajrore të IRGC
Gholamali Rashid – kreu i selisë qendrore Khatam al-Anbiya