Një tjetër episod shqetësues për aviacionin indian: Fluturimi i kompanisë Air India nga Ahmedabad drejt Londrës u anulua sot për shkak të “problemeve teknike”, vetëm një javë pas rrëzimit tragjik të fluturimit AI171 që mori jetën e 240 pasagjerëve, në aksidentin më të rëndë ajror në historinë e Indisë.
Fluturimi ishte planifikuar të nisej sot në orën 13:10 me orën lokale nga aeroporti Sardar Vallabhbhai Patel në Ahmedabad, për të mbërritur në Gatwick Airport në Londër në orën 18:25. Por u anulua papritur, pa ndonjë njoftim shtesë nga kompania.
Sipas të dhënave nga FlightRadar, fluturimi ishte planifikuar të realizohej me Boeing 787-8 Dreamliner – i njëjti model avion që u rrëzua javën e kaluar.
Avioni i anuluar ishte një nga gjashtë fluturimet të planifikuara mes Ahmedabad dhe Londrës për javën në vazhdim. Për momentin, ato mbeten ende në orarin e tyre, ndonëse pasiguria është rritur ndjeshëm.
Kjo është e dyta ndërprerje brenda pak ditësh për Air India. Të hënën, një tjetër fluturim i kompanisë u anulua për shkak të vonesave dhe tejkalimit të orarit të punës së ekuipazhit.
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, një avion tjetër i Air India nga San Francisko drejt Mumbait pati një defekt teknik në njërin prej motorëve dhe u detyrua të bëjë ndalesë emergjente në Kolkata, ku pasagjerët u evakuuan nga bordi.