Kjo është ajo që ju shikoni momentin që vdisni, sipas shkencës!

Vdekja është një përvojë e pashmangshme për çdo njeri, por mbetet një mister i madh për shkencën dhe për imagjinatën njerëzore.

Çfarë ndodh në momentin që zemra ndalon së rrahuri? A shohim dritën e famshme? A na kalon e gjithë jeta para syve? Sipas një zbulimi të rëndësishëm nga neuroshkenca, mund të ketë më shumë të vërtetë në këto përshkrime sesa kemi besuar deri tani.

Në një studim të publikuar në Frontiers in Aging Neuroscience në vitin 2023, u regjistrua për herë të parë aktiviteti i trurit të një pacienti 87-vjeçar në momentin e vdekjes.

Pacienti ishte duke u trajtuar për epilepsi dhe po i kryhej një regjistrim EEG kur pësoi një atak kardiak fatal. Kjo situatë u bë rast unik për të matur aktivitetin neurologjik të një truri që po vdiste.

Sipas udhëheqësit të studimit, neurokirurgut Dr. Ajmal Zemmar nga Universiteti i Louisville në SHBA, u vunë re valë truri të tipit gama, alfa, beta dhe theta — të gjitha të lidhura me kujtimet, ëndrrat dhe përpunimin e informacionit. Këto janë të njëjtat lloje aktivitetesh që ndodhin kur kujtojmë momente të rëndësishme ose përjetojmë ndjesi intensive emocionale.

Dr. Zemmar sugjeron se truri mund të realizojë një “rishikim të jetës” përpara se të fiket përgjithmonë — një proces i njohur si “life recall”, që shumë persona e kanë përshkruar pas përvojave afër vdekjes.

Këto gjetje sfidojnë kuptimin tonë mbi kufirin midis jetës dhe vdekjes, dhe hapin pyetje të reja të rëndësishme, përfshirë edhe ato që lidhen me kohën e dhurimit të organeve,” – shpjegon Zemmar.

Por nuk janë vetëm valët e trurit ato që i japin formë kalimit tonë. Infermierja e kujdesit paliativ, Julie McFadden, me përvojë në hospice në Los Angeles, ndan disa prej fenomeneve që vërehen shpesh te njerëzit në javët e fundit të jetës.

Një ndër to është “visioning” — momenti kur pacientët shohin figura të dashura të vdekura, që shpesh i përshkruajnë si përvoja qetësuese dhe pa frikë. Ata janë të ndërgjegjshëm dhe të kthjellët, duke biseduar me të afërmit, ndërsa përshkruajnë se shohin një baba, nënë apo partner të vdekur që u buzëqesh dhe u thotë se “është koha të vijë me ta”.

Një tjetër fenomen i lidhur është ai që infermierët e quajnë “death reach” — kur pacienti shtrihet lart me duar, sikur po përpiqet të përqafojë dikë që sheh përpara vetes, në një çast të thellë spiritual.

Çfarë ndodh fizikisht pas vdekjes?

Lianna Champ, balsamosësja e parë femër në Mbretërinë e Bashkuar, sqaron se trupit i ndodhin disa ndryshime fizike menjëherë pas vdekjes: humbje e temperaturës trupore, shfaqja e rigor mortis (ngurtësimi i muskujve) dhe më pas fillimi i procesit të dekompozimit. Këto ndryshime janë të natyrshme dhe nuk shkaktojnë dhimbje.

Megjithëse vdekja mbetet një territor i pashkelur plotësisht nga shkenca, këto zbulime të reja ofrojnë një shpjegim potencialisht ngushëllues: truri ynë, edhe në çastet e fundit, mund të na udhëheqë përmes kujtimeve më të dashura dhe përvojave më të forta emocionale të jetës sonë.