Zbulohet bota e humbur nën akull në Antarktidë pas 34 000 000 vjetësh

Një zonë e pazbuluar prej më shumë se 34 milionë vitesh është identifikuar nën rreth 1.5 kilometra akull në Antarktikë, në një zbulim që po konsiderohet si një “kapsulë kohore” nga shkencëtarët.

Peizazhi i lashtë ndodhet në një pjesë të izoluar të rajonit Wilkes Land, në Antarktikën Lindore, dhe përfshin një sipërfaqe prej afro 31 mijë kilometrash katrorë.

Ky zbulim është si të hapësh një kapsulë kohore,” tha profesori Stewart Jamieson, gjeolog në Universitetin e Durham-it dhe autor kryesor i studimit të publikuar në Nature Communications.

Ekipi i tij ka studiuar zonën që prej vitit 2017, duke përdorur të dhëna satelitore dhe radarë që depërtojnë përmes akullit.

Pamjet kanë zbuluar kodra të larta, lugina të thella dhe struktura të mirëruajtura, duke sugjeruar se në këtë zonë dikur rridhnin lumenj dhe kishte pyje.

Kjo tregon për një klimë shumë më të butë në të kaluarën, përpara se Antarktika të lëvizte drejt Polit të Jugut dhe të izolohej nga ujërat e ngrohta përmes qarkullimeve oqeanike, çka çoi në formimin e fletëve masive të akullit.

Sipas studiuesve, akulli në këtë pjesë të Antarktikës është jashtëzakonisht i ftohtë dhe lëviz shumë ngadalë, gjë që ka bërë që terreni nën të të mos pësojë gërryerje. Kjo ka lejuar që peizazhi i dikurshëm të ruhet në detaje mbresëlënëse.

Ekipi shkencor ka identifikuar tre struktura të mëdha të ngritura të tokës, secila me gjatësi nga 120 deri në 170 kilometra dhe gjerësi deri në 85 kilometra. Midis tyre ndodhen lugina të gjera deri në 40 kilometra dhe thellësi deri në 1,200 metra.

Territori nën shtresën e akullit në Antarktikën Lindore është më pak i njohur se sipërfaqja e Marsit,” thekson profesor Jamieson. Ai shton se ekipi është duke studiuar një pjesë më të vogël të këtij peizazhi për të kuptuar më shumë mbi zhvillimin e tij dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në të ardhmen.

Profesori Neil Ross, bashkëautor i studimit dhe ekspert i gjeofizikës mjedisore në Universitetin e Newcastle, tha se kërkimi do të ndihmojë gjithashtu në parashikimin e mënyrës se si mund të evoluojë kjo zonë në kushtet e ngrohjes globale.

Shkencëtarët kanë shprehur interes për të shpuar akullin mbi këtë peizazh, për të marrë mostra që mund të ndihmojnë në rindërtimin e historisë mjedisore të Antarktikës dhe ndikimeve të mundshme që ndryshimi i klimës mund të ketë në të ardhmen.