Kriza mes Iranit dhe Izraelit po arrin një pikë kritike, me një paralajmërim të drejtpërdrejtë nga ushtria iraniane se do të përdorë 2000 raketa në sulmet e ardhshme kundër Izraelit.
Ky njoftim vjen në një moment jashtëzakonisht të tensionuar, pas shkëmbimeve të fundit të zjarrit mes dy vendeve, ku Irani ka lëshuar tashmë një valë të kufizuar raketash drejt territorit izraelit.
Sipas burimeve të siguruara nga CNN dhe të konfirmuara edhe nga New York Times, Teherani fillimisht kishte planifikuar të përgjigjej me 1000 raketa balistike pas sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës së tij bërthamore.
Por dëmet serioze që ushtria izraelite i ka shkaktuar bazave ajrore iraniane duket se e kanë penguar realizimin e menjëhershëm të këtij operacioni.
“Për shkak të dëmtimit të rëndë të bazave ajrore, Irani mundi të lëshonte vetëm 100 raketa në sulmet e para,” shkruan New York Times.
Tani, Irani ka bërë të ditur se është duke u përgatitur për një hakmarrje masive, duke e rritur numrin e raketave të gatshme për lëshim në 2000 njësi, çka përbën një kërcënim serioz për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit.