Teherani është zgjuar sot nën jehonën e disa shpërthimeve të fuqishme, pas një serie sulmesh ajrore të kryera nga Izraeli mbi objektiva të dyshuara ushtarake në kryeqytetin iranian.
Autoritetet izraelite kanë deklaruar se sulmet janë të karakterit “parandalues”, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se janë goditur të paktën 15 objektiva, edhe pse ky numër mbetet ende i pakonfirmuar nga burime të pavarura.
Sipas informacioneve paraprake, operacioni izraelit është ndërmarrë pa bashkërendim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, qeveria e Izraelit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke paralajmëruar mundësinë e një kundërpërgjigjeje të menjëhershme nga ana e Iranit.
Burime të CNN raportojnë se në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump ka thirrur një takim urgjent me këshilltarët e tij të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, për të shqyrtuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe implikimet që ato mund të kenë në nivel global.