Pamje të reja të publikuara në rrjet kanë nxitur spekulime të reja lidhur me rrëzimin tragjik të fluturimit Air India AI171, ku humbën jetën 241 nga 242 personat në bord.
Videoja e shpërndarë tregon një objekt që fluturon në ajër pak sekonda përpara përplasjes së avionit në tokë, duke ngjallur dyshime se mund të bëhet fjalë për derën emergjente pranë sediljes së pasagjerit të vetëm që mbijetoi, britanikut Vishwash Kumar Ramesh.
Sipas raportimeve, Vishwash ka deklaruar se beson që dera pranë vendit të tij, 11A, është shkëputur në momentin që avioni ka goditur një ndërtesë, përpara se të shpërthente në flakë. Ai theksoi gjithashtu se kishte hequr rripin e sigurimit pak çaste përpara përplasjes.
Fluturimi AI171 ishte nisur nga Ahmedabad me destinacion aeroportin Gatwick në Londër. Tragjedia ndodhi menjëherë pas ngritjes, kur avioni u përplas me një godinë dhe u përfshi nga flakët.
Deri tani, është gjetur njëra nga dy kutitë e zeza të avionit, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit.
Air India ka ngritur qendra asistence për miqtë dhe familjarët e viktimave në aeroportet e Gatwick, Mumbait, Delhit dhe Ahmedabadit.
Ndërkohë, kapiteni veteran i Forcave Ajrore Indiane (IAF), Ehsan Khalid, në një deklaratë për NDTV, theksoi se një avion nuk lejohet të ngrihet nëse ka një konfigurim të gabuar dhe se shumica e avionëve komercialë janë të pajisur me sisteme paralajmëruese për kontrollin e sigurisë.
Kapiteni Khalid theksoi gjithashtu se nuk ka prova të qarta që të sugjerojnë një “bllokim kontrolli”, duke nënkuptuar se piloti e ka pasur në kontroll avionin deri në momentin e fundit. Si një nga shkaqet më të mundshme të rrëzimit, ai përmendi përplasjen me zogj gjatë ngritjes, një rrezik i njohur në aeroporte të ngarkuara si ai i Ahmedabadit.
Sipas tij:
“Shumë zogj në fushën e fluturimit mund të shkaktojnë dëmtime serioze – humbje fuqie, dështim të sistemeve të treguesve apo të shpejtësisë. Kjo krijon një situatë që është jashtë çdo manuali për pilotin.”
Hetimet pritet të përqendrohen në analizën e kutisë së zezë dhe në verifikimin e elementëve mekanikë, ambientale dhe operacionalë, për të përcaktuar me saktësi shkakun e rrëzimit të një prej tragjedive më të rënda ajrore të viteve të fundit në Indi.
