Alarm për bombë në avionin “Air India” vetëm një ditë pas incidentit tragjik

Një avion i kompanisë Air India, i nisur nga Phuket (Tajlandë) me destinacion New Delhi-n, është detyruar të bëjë një ulje emergjente pas një alarmi për bombë në bord.

Fluturimi AI 379, i cili transportonte 156 pasagjerë, u kthye menjëherë në aeroportin e nisjes pasi autoritetet ajrore morën njoftimin për një kërcënim të mundshëm eksplozivi gjatë fluturimit.

Ngjarja vjen vetëm një ditë pas tragjedisë së rëndë ajrore në Ahmedabad, ku fluturimi AI 171 i kompanisë Air India, me destinacion Londrën, u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 241 personave – përfshirë pasagjerë dhe persona në tokë.

Autoritetet në Tajlandë dhe Indi kanë nisur hetimet për të zbuluar natyrën e kërcënimit në bordin e AI 379. Pas uljes së detyruar, të gjithë pasagjerët janë evakuuar në mënyrë të sigurt, ndërsa mjeti fluturues i është nënshtruar kontrolleve të imtësishme nga njësitë e sigurisë.

Air India ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen, por burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se deri më tani nuk janë gjetur mjete shpërthyese në bord. Autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë për shkak të ndjeshmërisë së situatës.