Një aksident i rëndë ajror ka tronditur Indinë dhe opinionin publik ndërkombëtar këtë të mërkurë, pasi një avion i kompanisë Air India, tipi Boeing 787 Dreamliner (VT-ANB), është rrëzuar pak minuta pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, teksa ishte nisur drejt Londrës (Gatwick).
Në bord ndodheshin 242 persona, përfshirë dy pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit.
Sipas raportimeve të para nga mediat vendase, në avion ndodhej edhe ish-kryeministri i shtetit Gujarat, identiteti i të cilit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Çfarë dihet deri tani:
- Avioni u ngrit nga Ahmedabad rreth orës 10:15 me orën lokale.
- Vetëm 625 metra mbi tokë, ai dha një thirrje emergjence dhe humbi kontaktin me kontrollin e trafikut ajror.
- Pas pak sekondash, avioni u zhduk nga radarët dhe u rrëzua në një zonë banimi, pranë aeroportit ndërkombëtar të qytetit.
Në bord ndodheshin:
- 169 shtetas indianë
- 53 shtetas britanikë
- 7 shtetas portugezë
- 1 shtetas kanadez
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë shtëpi të shkatërruara dhe banorë që vrapojnë në panik.
“Të gjithë po vrapojnë tani duke u përpjekur të shpëtojnë sa më shumë jetë të jetë e mundur,” ka raportuar një gazetar i BBC-së që ndodhet në vendin e tragjedisë.
Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës janë në terren, ndërkohë që nuk ka ende një bilanc zyrtar të viktimave apo të mbijetuarve.
Sipas raportimeve të para, disa trupa janë nxjerrë nga rrënojat, por operacioni i kërkim-shpëtimit është në zhvillim.
Fluturimi ishte një nga më të ngarkuarit për sezonin veror, dhe përveç udhëtarëve, kishte edhe fëmijë e familje që po udhëtonin për pushime në Evropë.
Hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë e një defekti teknik të menjëhershëm, por gjithçka mbetet në kuadër të dyshimeve.
Tragjedia është cilësuar si një nga më të rëndat e dekadës për kompaninë Air India, ndërkohë që autoritetet ajrore në Indi kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor.
