Zbulohet çfarë publikoi në Internet një pasagjer vetëm dy orë para rrëzimit të avionit të “Air India”

Një aksident ajror me pasoja të rënda ka tronditur Indinë paraditen e sotme, kur një avion pasagjerësh i kompanisë “Air India”, i tipit Boeing 787-8 Dreamliner, u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad.

Tragjedia ka rezultuar fatale për të gjithë personat në bord, me 244 viktima të konfirmuara deri më tani.

Por, pak para se të ndodhte përplasja vdekjeprurëse, një detaj ka dalë në dritë dhe po ngjall reagime të forta në rrjetet sociale.

Një pasagjer, i cili kishte udhëtuar me të njëjtin avion vetëm dy orë më parë në fluturimin Delhi–Ahmedabad, kishte postuar në platformën “X” (ish-Twitter) një mesazh kritikues për gjendjen teknike të mjetit fluturues.

Në postimin e tij, ai shkruante:
Isha në të njëjtin avion vetëm dy orë para se të ngrihej nga Ahmedabad. Erdhi nga Delhi. Vura re disa gjëra të pazakonta në bord. Kam bërë një video për të kontaktuar @airindia. Dua të jap më shumë detaje. Ju lutem më kontaktoni.”

Pasagjeri kishte përmendur konkretisht defekte në sedilje dhe mosfunksionimin e sistemit të informacionit dhe argëtimit në bord, duke vënë në dukje mirëmbajtjen e dobët të avionit.

Postimi është shpërndarë gjerësisht, ndërsa përdorues të shumtë në platforma të ndryshme kanë ngritur pyetje të shumta mbi masat e sigurisë të ndjekura nga kompania ajrore dhe mirëmbajtjen e flotës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm pak minuta pas ngritjes së avionit nga pista, ndërsa mjeti ndodhej në një lartësi prej 190 metrash. Sipas policisë lokale, përplasja ka ndodhur mbi një zonë të banuar, pranë një konvikti mjekësh, duke ngritur shqetësime për mundësinë e viktimave edhe në tokë.

Shefi i policisë, G.S. Malik, ka konfirmuar se nuk ka të mbijetuar dhe se hetimet janë në fazën fillestare. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë për të përcaktuar shkaqet që çuan në aksidentin tragjik. Në bord ndodheshin shtetas nga disa vende, përfshirë Indinë, Britaninë, Portugalinë dhe Kanadanë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e përplasjes dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës në vendngjarje.