Një video e qartë që dokumenton momentet e fundit të avionit të linjës “Air India” është publikuar në rrjetet sociale, duke hedhur dritë mbi sekondat kritike para përplasjes së tij në një zonë të banuar pranë aeroportit të Ahmedabad.
Në pamje shfaqet një avion tip Boeing 787 Dreamliner, i cili tenton të ngrihet nga pista, por pas vetëm pak sekondash në ajër, humbet lartësinë dhe përplaset në tokë jo shumë larg aeroportit.
Pamjet janë analizuar gjerësisht nga ekspertë të aviacionit, të cilët kanë theksuar se duket qartë një mosfunksionim në përpjekjen e avionit për të fituar lartësi.
Sipas informacioneve paraprake, në bordin e avionit ndodheshin 242 pasagjerë. Autoritetet indiane kanë konfirmuar deri më tani se vetëm një person ka mbijetuar, një 40-vjeçar britanik me origjinë indiane, i cili është identifikuar si Vishwash Kumar Ramesh.
Ai ndodhej pranë një daljeje emergjence dhe ka deklaruar se është hedhur jashtë avionit menjëherë pas përplasjes, përpara se zjarri të përfshinte trupin e mjetit fluturues.
Nga deklaratat e para të tij për mediat indiane, ai kujton se “tridhjetë sekonda pas ngritjes u dëgjua një zhurmë e fortë, më pas gjithçka ndodhi shumë shpejt”.
Ramesh, i cili ndodhet në spital nën kujdes mjekësor, ka pësuar dëmtime në kraharor, sy dhe këmbë.