Një shtetas britanik me origjinë indiane, Vishwashkumar Ramesh, besohet të jetë i vetmi që ka mbijetuar nga përplasja tragjike e një avioni të linjës Air India, i cili u rrëzua në një zonë të banuar të qytetit Ahmedabad pak minuta pas ngritjes nga pista.
Aeroplani kishte si destinacion Aeroportin Gatwick në Londër dhe transportonte mbi 240 persona, përfshirë 53 shtetas britanikë.
Familjarët e Ramesh, që jetojnë në Leicester të Mbretërisë së Bashkuar, konfirmuan për mediat britanike se kanë pasur kontakte telefonike me të menjëherë pas incidentit.
Sipas Ajay Valgi, një kushëri i tij, Vishwashkumar ka njoftuar se është “mirë”.
“Ishte e pabesueshme. Na telefonoi dhe tha se ishte në rregull. Thjesht nuk mund ta besonim se kishte shpëtuar”, deklaroi Valgi për BBC.
I vëllai i të mbijetuarit, Nyan Kumar Ramesh, 27 vjeç, tha për agjencinë e lajmeve PA se ishte në tronditje kur mësoi për aksidentin.
“Folëm herët në mëngjesin e asaj dite. Nuk e kuptojmë ende se si ka mundur të dalë nga avioni. Ai vetë tha: ‘Nuk kam asnjë ide si dola nga aty’”.
Sipas familjarëve, Vishwashkumar ishte ulur pranë të vëllait tjetër, Ajay, me të cilin udhëtonte drejt Britanisë. Pas përplasjes, ai ka kontaktuar të atin, duke i bërë një pyetje të vetme: “Ku është Ajay?”. Burime pranë familjes pohojnë se ai ishte i mbuluar me gjak dhe kishte plagë në fytyrë, por ishte në gjendje të qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën.
Avioni tip Boeing 787 Dreamliner ishte nisur në orën 13:39 me orën lokale nga Ahmedabad drejt Londrës. Në bord ndodheshin 169 shtetas indianë, 53 britanikë, një kanadez dhe shtatë qytetarë portugezë. Autoritetet indiane të aviacionit kanë nisur një hetim të plotë për shkaqet e përplasjes, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë konfirmuar deri më tani 239 viktima.
Nga raportimet paraprake, dyshohet për një problem teknik të menjëhershëm në sistemin e drejtimit të avionit, por hetimet janë ende në fazë fillestare. Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e shkatërrimit, ndërsa banorët e zonës ku ra avioni janë evakuuar për shkak të rrezikut të zjarrit dhe rrjedhjes së karburantit.
Për momentin, Vishwashkumar Ramesh ndodhet në një spital lokal në Ahmedabad nën kujdesin e mjekëve, ndërsa Ambasada Britanike në Indi ka konfirmuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore dhe familjarët e pasagjerëve britanikë.
