Autoritetet konfirmojnë numrin tragjik të të vdekurve pas rrëzimit të avionit me 244 pasagjerë

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur paraditen e sotme në Indi, ku një avion pasagjerësh i tipit Boeing 787-8 Dreamliner është rrëzuar menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Ahmedabad, duke shkaktuar një tragjedi me përmasa të mëdha.

Shefi i policisë lokale, G.S. Malik, ka konfirmuar për agjencinë Associated Press se nuk ka asnjë të mbijetuar nga përplasja.

Sipas tij, avioni u rrëzua mbi një zonë të banuar ku ndodhej një konvikt mjekësh, çka ka shtuar frikën se edhe persona të tjerë, jashtë avionit, mund të jenë mes viktimave.

“Duket se nuk ka të mbijetuar nga përplasja e avionit,” – tha zyrtari, duke shtuar se ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet për të përcaktuar numrin e saktë të jetëve të humbura.

Në bord ndodheshin 244 persona, përfshirë shtetas nga India, Britania, Portugalia dhe Kanadaja. Avioni kishte arritur vetëm 190 metra lartësi kur ndodhi përplasja fatale.

Shërbimet e emergjencës janë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ajror që ka tronditur opinionin publik.

Autoritetet presin të konfirmojnë identitetin e viktimave dhe po u bëjnë apel qytetarëve të qëndrojnë larg zonës së rrezikut.