Autoritetet greke po hetojnë vdekjen e një foshnje 5 muajshe në Paros, ngjarje që ka tronditur opinionin publik.
Foshnja ishte me prindërit shqiptarë në plazhin Paraspóros, ku qëndroi disa orë nën diell.
Sipas dëshmisë së nënës, ajo e çoi foshnjën në makinë për t’u qetësuar, pasi ajo qante pa pushim.
“Shkuam në mëngjes me bashkëshortin dhe fëmijët tanë. Qëndruam gjithë kohën në diell. Foshnja filloi të qante dhe unë vendosa ta çoja në makinë, e cila ishte e parkuar në diell. Qëndrova aty për gjysmë ore dhe më pas i tregova burrit se foshnja qante pa pushim, nuk ishte mirë dhe duhej të largoheshim. U larguam në orën 15:00 drejt shtëpisë.” dëshmoi nëna.
Një moment tjetër kyç është periudha nga ora 15:00 deri në 17:00, kur nëna ishte e vetme me foshnjën në shtëpi. Ajo e çoi më pas foshnjën në Qendrën Shëndetësore të Paros, ku konstatoi se nuk merrte frymë.
“Pak pas ardhjes në shtëpi, bashkëshorti dhe djali im shkuan përsëri në plazh. Pas një ore e gjysmë apo dy orë, kuptova se diçka nuk shkonte me foshnjen. E mbështolla me një batanije dhe e dërgova në Qendrën Shëndetësore të Paros. Kur mbërrita, i thashë mjekut se foshnja nuk po merrte frymë. Nuk e di se çfarë ndodhi”.
Mjekët po shqyrtojnë mundësinë e një goditjeje nga dielli ose ndonjë komplikacion tjetër, duke përjashtuar për momentin ndonjë veprim kriminal.
Nëna ndodhet në gjendje shoku dhe pritet të japë dëshminë para gjykatës. Ndërkohë, familja po përballet me dhimbjen e humbjes tragjike.