Një ngjarje e rëndë ka tronditur Austrinë mëngjesin e së martës, ku një 21-vjeçar, i identifikuar si Arthur A., hyri i armatosur në një shkollë në qytetin e Grazit dhe vrau dhjetë persona, mes tyre edhe një 13-vjeçare nga Kosova, duke plagosur të paktën dymbëdhjetë të tjerë.
Pas sulmit, ai i dha fund jetës në ambientet e shkollës. Sipas të përditshmes austriake Kronen Zeitung, i riu kishte qenë më parë nxënës në këtë shkollë, por nuk kishte arritur të diplomohej.
Autoritetet janë ende duke hetuar motivet e këtij akti të dhunshëm, ndërkohë që në vendngjarje është gjetur një shënim i shkruar nga autori, letër e cila mund të hedhë dritë mbi arsyet e sulmit.
Të dhënat paraprake tregojnë se sulmi ndodhi brenda dy klasave, ku viktimat përfshijnë nxënës dhe mësues. Një tjetër viktimë u vra jashtë ndërtesës shkollore. Trupi i pajetë i autorit është gjetur më vonë në tualetin e shkollës, me shenja që tregojnë vetëvrasje.
Kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tre ditë zie kombëtare, duke deklaruar se kjo është “një nga ditët më të errëta në historinë e vendit”.
Hetimet janë në zhvillim.