Pamjet nga tragjedia e ndodhur më 18 nëntor 2024 në Tiranë janë publikuar për herë të parë, duke sjellë në vëmendje një nga episodet më të dhimbshme që përfshiu një komunitet të tërë dhe mori jetën e një adoleshenti me ëndrra të mëdha.
14-vjeçari Martin Cani, një nxënës i shkollës “Fan Noli”, humbi jetën tragjikisht pasi u godit me thikë në zemër nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj. Ngjarja ndodhi në mesditë, vetëm pak metra larg shkollës, pas një përplasjeje fizike mes disa të rinjve.
Videoja, e publikuar nga gazetari Eraldo Harilcaj, dokumenton momentet para dhe pas krimit. Në pamje shihen Martin Cani dhe autori, Mario Përlleshaj, duke ecur krah njëri-tjetrit, të ndjekur nga një grup shokësh, mes tyre edhe Luis Meçaj, miku i Martinit, i cili u plagos gjatë përplasjes.
Në vijim, grupi zhduket nga pamja në një rrugicë pa kamera sigurie, për t’u shfaqur disa minuta më pas duke vrapuar. Në mënyrë tronditëse, Martini shihet duke mbajtur me duar zonën ku ishte goditur me thikë, ndërsa pas tij vrapon Mario, i cili mban ende armën në dorë.
Ngjarja la pas një familje të shkatërruar, një komunitet të tronditur dhe një proces gjyqësor që vijon mes kërkesash për drejtësi dhe përgjigje për një tragjedi që mund të ishte shmangur.