Pas përfundimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania, Egli Tako krijoi një miqësi të ngushtë dhe bashkëpunim profesional me këngëtaren Filloreta Raçi (Fifi).
Të dyja sollën një projekt të përbashkët muzikor, por ai që duhej të ishte një sukses i radhës, përfundoi në një përplasje të papritur që ndezi rrjetin.
Projekti “Ku je nis & Shuj Shuj”, një bashkëpunim midis Fifit, Egli Takos dhe DJ Gimi, u publikua në YouTube por vetëm pak orë më pas u fshi pa asnjë sqarim.
Më vonë u konstatua se ishte Fifi ajo që e kishte hequr këngën dhe, përveç kësaj, kishte larguar emrin e Eglit nga Spotify, si edhe kishte fshirë të gjitha fotot me të në Instagram dhe rrjete të tjera sociale.
Ky veprim nxiti shumë aludime dhe reagime në rrjet, derisa Fifi vendosi ta rikthente këngën në platforma, sërish pa ndonjë deklaratë zyrtare.
Në deklaratën e saj të parë, Egli u shpreh se nuk kishte të drejtë si autore dhe pas fshirjes së këngës qëndron Fifi.
Pavarësisht përplasjes, Egli e vlerësoi Fifin si artiste dhe menaxhere, por njëkohësisht la të kuptohej se ky ishte bashkëpunimi i fundit mes tyre, duke i dhënë fund kësaj faze të karrierës së saj.
Pak kohë më parë, emisioni “Prive” raportoi se Egli kishte marrë një ftesë nga Gjesti për t’u bashkuar me labelin e tij muzikor, por ajo e kishte refuzuar për shkak të respektit për Fifin. Tani që marrëdhënia mes dy artisteve është prishur, duket se dyert për një bashkëpunim me Gjestin janë të hapura.
Këto spekulime janë nxitur edhe nga disa postime të fundit në Instagram, ku Egli Tako shfaqet e buzëqeshur dhe përdor frazën “Natën e mirë”, një shprehje që Gjesti e kishte bërë ikonike gjatë qëndrimit të tij në Big Brother VIP Albania.
Për momentin, Egli nuk ka konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin me ekipin e Gjestit, por të gjitha sinjalet dhe qëndrimet e saj lënë të kuptohet se një kapitull i ri është në ndërtim.