Një deklaratë e bërë nga modelja dhe ish-banorja e Big Brother Kosova, Juliana Nura, ka shkaktuar debat të madh në rrjet.
Ajo pohoi publikisht se kishte siguruar një biletë për ndeshjen Shqipëri–Serbi përmes një telefonate me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.
Deklarata e saj, e dhënë në një intervistë televizive në Kosovë, vinte në një kohë kur qindra tifozë të pasionuar, përfshirë Tifozat Kuq e Zi, mbetën jashtë stadiumit për shkak të “mungesës së biletave” dhe aplikimit përmes një sistemi shorti që u pretendua si i drejtë dhe transparent.
Por për të hedhur dritë mbi këtë çështje, portali Newsport.al kontaktoi drejtpërdrejt kreun e FSHF-së.
Armand Duka, në një reagim të prerë, mohoi çdo njohje me modelen në fjalë. “Nuk e njoh fare atë vajzën, as nuk kam komunikuar ndonjëherë me të. Prej një muaji jam i përqendruar vetëm te Kombëtarja, nuk kam pasur kohë as për të përdorur telefonin personal”, tha Duka.
Ai shtoi se shpërndarja e biletave ishte bërë përmes aplikimit dhe shortit, siç ishte njoftuar zyrtarisht.