Në mbrëmje luhet ndeshja e shumëpritur Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, dhe tensioni duket se po rritet edhe jashtë fushës së lojës.
Sipas disa forumeve serbe, një grup tifozësh ultras serbë kanë paralajmëruar një hakmarrje simbolike, duke kërcënuar se do të lëshojnë një dron me flamurin serb mbi stadiumin “Air Albania”, një skenar që ngjall kujtime të ngjarjes në Beograd, kur një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes dhe tensione të forta mes dy vendeve.
Megjithatë, autoritetet shqiptare kanë marrë masa të rrepta sigurie, përfshirë bllokimin e hapësirës ajrore mbi stadium, kontrolle të shtuara dhe teknologji për parandalimin e çdo mjeti fluturues gjatë ndeshjes.
Policia garanton se çdo përpjekje për provokim do të neutralizohet në kohë, ndërsa kërkohet që ndeshja të zhvillohet në frymë sportive dhe respekti.