Televizioni shtetëror serb ka reaguar pas barazimit të kombëtares së Serbisë në ndeshjen ndaj Shqipërisë, duke e cilësuar paraqitjen e ekipit si të dobët dhe pa ide të qarta në organizimin e lojës.
Në analizën e publikuar menjëherë pas takimit, theksohet se Serbia e nisi “luftën” për një vend në Kupën e Botës 2026 — që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA — me një rezultat që nuk e përmbush pritshmërinë:
“Momente të rralla loje të mirë nuk mjaftuan për të ëmbëlsuar hidhërimin e shkaktuar nga mungesa e ideve”, shkruan RTS.
Sipas raportimit, pika e vetme pozitive për ekipin e drejtuar nga Dragan Stojković ishte portieri Gjorgje Petrović, i cili u vlerësua si shpëtimtari i skuadrës në shumë momente vendimtare, përfshirë edhe pritjen e një penalltie në fundin e pjesës së parë.
RTS vëren se Serbia e nisi ndeshjen mirë, duke qenë më aktive në 10 minutat e para me disa tentativa drejt portës, por më pas kontrolli i lojës kaloi në favor të Shqipërisë, e cila dominonte posedimin në mesfushë dhe e mbrojti mirë territorin.
Krahu i majtë, ku luajtën Mitrović dhe Terzić, u konsiderua si zona më e rrezikshme për Serbinë, por pa konkretizime.
Në fund të pjesës së parë, Shqipëria kishte një rast të artë për të kaluar në avantazh, kur Elseid Hysaj fitoi një penallti në zonë, e cila u ekzekutua nga Manaj, por Petrović arriti të ndalë goditjen dhe të ruajë rezultatin 0-0.