Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Gosë, në Rrogozhinë, ku një konflikt mes fqinjësh ka përfunduar me dy të plagosur.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se një çift bashkëshortësh, Sami dhe Nadire Disha, janë qëlluar me armë nga komshiu i tyre, pas një debati që nisi për motive ende të paqarta, por që dyshohet të jenë banale.
Sipas informacioneve paraprake, pas përplasjes verbale, autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të çiftit, duke i lënë të dy të plagosur.
Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Ndërkohë, policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Autori është shpallur në kërkim, ndërsa shërbimet e rendit po punojnë për kapjen e tij.