Një variant i ri i COVID-19 i quajtur NB.1.8.1, i derivuar nga linja Omicron, po tërheq vëmendjen e ekspertëve të shëndetit publik për shkak të rritjes së infeksioneve në disa vende të botës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar këtë variant si një “variant nën monitorim”, duke theksuar se rreziku global aktual është i ulët, por mbetet nevoja për vigjilencë.
Ku është zbuluar varianti NB.1.8.1?
NB.1.8.1 u identifikua për herë të parë më 22 janar 2025 dhe deri më 18 maj është gjetur në 22 shtete, përfshirë Hong Kongun, Kinën, Egjiptin, Tajlandën dhe Maldivet. Në SHBA, janë konfirmuar raste në New York, Kaliforni, Arizona, Ohio, Uashington dhe Rhode Island. Ky variant përbën aktualisht rreth 10% të të gjitha rasteve globale me COVID-19, në rritje nga 2.5% vetëm një muaj më parë.
Situata në Europë
Varianti NB.1.8.1 është identifikuar në vetëm disa raste gjatë tri javëve të fundit, ndërsa variantet XEC.2 dhe XEC.4 vazhdojnë të dominojnë me 20-70% të mostrave javore. Janë gjithashtu raportuar herë pas here variantet KP.2, LF.7 dhe nënvariantet MC.
A është shqetësues?
Sipas OBSH, nuk ka prova që NB.1.8.1 shkakton forma më të rënda të sëmundjes krahasuar me variantet e tjera të fundit. Megjithatë, përhapja e shpejtë dhe rritja e vizitave në spitale në disa zona ka sjellë shqetësim për sistemet shëndetësore.
A mbrojnë vaksinat ekzistuese?
Po. OBSH konfirmon se vaksinat aktuale ofrojnë mbrojtje efektive ndaj këtij varianti, sidomos për reduktimin e simptomave të rënda dhe komplikimeve.
Cilat janë simptomat?
Simptomat e variantit NB.1.8.1 janë të ngjashme me ato të COVID-19 klasik: temperaturë, kollë, lodhje, humbje e nuhatjes dhe shijes, dhimbje fyti ose koke.
CDC dhe NHS këshillojnë qytetarët që në rast simptomash të vetizolohen dhe të ndjekin masat bazë për mbrojtjen e vetes dhe të tjerëve.
