Trupi i pajetë i Maria Denisa Paun, 30-vjeçare me origjinë rumune, u gjet më 4 qershor në një zonë të pyllëzuar në Montecatini Terme, Itali.
Ajo ishte raportuar e zhdukur që më 15 maj në Prato. Trupi u gjet i djegur pjesërisht dhe pa kokë, i fshehur midis shkurreve pranë një shtëpie të braktisur.
Vetëm pak orë pas gjetjes së trupit, Karabinierët arrestuan Vasile Frumuzache, 32 vjeç, rumun, i martuar dhe me dy fëmijë, banues në Monsummano Terme. Ai e pranoi vrasjen, duke thënë: “Po më shantazhonte.”
Sipas hetimeve, Denisa u vra në një dhomë hoteli në Prato natën e 15 majit. Kamerat e sigurisë treguan autorin duke hyrë me një çantë të zezë dhe duke dalë disa orë më vonë me një valixhe të bardhë, ku dyshohet se ndodhej trupi i viktimës.
Më pas, ai e transportoi trupin me makinë dhe e fshehu në pyll. Pikërisht GPS-i i makinës e çoi policinë te vendndodhja.
Prokuroria ka ngritur akuza për vrasje dhe fshehje trupi, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar motivin e plotë. Rasti ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që përballen gratë e përfshira në rrugën e prostitucionit dhe mungesën e mbrojtjes efektive për to.