Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka hedhur akuza të rënda ndaj një rrjeti të dyshuar kriminal ndërkombëtar, të udhëhequr nga shtetasi shqiptar Dritan Gjika.
Në një postim zyrtar në platformën X (ish-Twitter), Gustavo deklaron se Gjika, i arrestuar më 26 maj në Dhabi, është kreu i mafias shqiptare të drogës në Ekuador dhe se ka tentuar ta vrasë.
Sipas kreut të shtetit kolumbian, rrjeti i udhëhequr nga Gjika kontrollon segmente kyçe të shtetit, përfshirë zyra të prokurorisë, struktura të inteligjencës dhe portin strategjik të Buenaventura-s – një nga pikat më të rëndësishme për trafikun e drogës në Amerikën Latine.
Presidenti Petro shkon edhe më tej në akuzat e tij, duke e lidhur këtë rrjet mafioz me vrasjen e prokurorit paraguaian Marcelo Pecci në vitin 2022, një ngjarje që tronditi të gjithë rajonin dhe solli alarm ndërkombëtar për ndërhyrjen e mafies në institucionet e drejtësisë.
Gjika, i cili ka qenë aktiv në Ekuador që nga viti 2009, është akuzuar për udhëheqjen e një rrjeti që ka transportuar më shumë se 9.5 tonë kokainë nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit drejt Evropës. Ky operacion ka përfshirë përdorimin e kompanive të ndërtimit dhe bujqësisë si fasada për pastrimin e parave dhe shmangien e zbulimit nga autoritetet.
Në një diagram të publikuar nga InSight Crime, Gjika shfaqet si udhëheqës i një strukture kriminale që përfshin individë të tjerë si Mario Sánchez Rinaldi, Julio Lalangui, Rubén Cherres, Bryan Lalangui dhe Erjon Spahiu. Ky diagram tregon lidhjet e ngushta midis këtyre individëve dhe kompanive të shumta që ata kontrollojnë, të cilat dyshohet se janë përdorur për aktivitete të paligjshme.
Deklaratat e presidentit janë bazuar në këto të dhëna që kanë dokumentuar aktivitetin kriminal të Gjikës dhe lidhjet e tij me biznesmenë dhe zyrtarë të korruptuar në disa shtete të Amerikës Latine dhe Evropës. Hetimet ndaj këtij grupi po zhvillohen në bashkëpunim mes autoriteteve të Ekuadorit, Spanjës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe