Reagon e ëma e 14-vjeçares pasi partneri i saj i mori jetën me gur: “Do ta paguajë shtrenjtë”

Një ngjarje tronditëse ka tronditur Italinë dhe opinionin publik përtej saj: një vajzë 14-vjeçare, Martina Carbonaro, u gjet e vrarë në një ndërtesë të braktisur në qytetin e Afragolës, Napoli, vetëm dy ditë pasi u shpall e zhdukur nga familja.

Martina kishte dalë të dielën për t’u takuar me një shoqe, por nuk u kthye më në shtëpi. Pas orësh pa kontakt, prindërit alarmuan Policinë dhe publikuan apelin e tyre në rrjetet sociale.

Trupi i pajetë i vajzës u gjet mëngjesin e së martës, i fshehur poshtë një dysheku në një kasolle të braktisur pranë stadiumit “Moccia”, falë gjurmëve të kamerave të sigurisë që çuan hetuesit në vendin e krimit.

Ish-partneri i saj, 18-vjeçari Alessio Tucci, është arrestuar dhe ka rrëfyer krimin para autoriteteve. Sipas dëshmisë së tij, ai e kishte vrarë Martinën me gurë, pasi ajo i kishte dhënë fund lidhjes së tyre, gjë që ai nuk e kishte pranuar dot.

Por reagimi më i fortë dhe më i dhimbshëm erdhi nga e ëma e Martinas, zonja Musa Fiore, e cila në një mesazh prekës në rrjetet sociale shkroi:

“Bija ime, kushdo që të lëndoi do ta paguajë! Fluturo lart, tani do të jesh me prindërit e mi. Ti ishe e rëndësishme dhe do të jesh gjithmonë e rëndësishme!”

Fjalë të mbushura me dhimbje, zemërim dhe premtim për drejtësi nga një nënë që ka humbur vajzën e saj në mënyrën më barbare të mundshme.

Ngjarja ka shkaktuar një valë reagimesh në Itali, ndërsa komuniteti i Afragolës është zhytur në zymtësi e tronditje.

Hetimet janë në vijim, ndërsa familja e Martinas kërkon drejtësi dhe dënim maksimal për autorin e këtij krimi makabër.