Radio Televizioni Shqiptar ka reaguar pas disa publikimeve të pazakonta që u shfaqën në uebsajtin dhe rrjetet e tyre sociale gjatë ditës së sotme.
Në disa prej titujve të publikuar u panë shkrime si “Kosova është Serbi” dhe “Shqipëria tërheq njohjen e Kosovës”, të cilat ngritën shqetësim të madh në opinionin publik.
RTSH, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, njoftoi se platformat e tyre kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik.
“Llogaria jonë ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar postime të paautorizuara. Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë. Faleminderit për mirëkuptimin,” thuhet në njoftimin e RTSH-së.
Ndërkohë, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se kush qëndron pas këtij sulmi, edhe pse në disa media është aluduar për hakerë serbë.