Përleshje fizike gjatë performancës së Izraelit në Eurovision – del videoja e incidentit të pazbuluar

Një incident i tensionuar ndodhi gjatë performancës së përfaqësueses së Izraelit, Yuval Raphael, në finalen e Eurovision 2025, por që nuk u transmetua në ekran dhe mbeti jashtë vëmendjes publike deri më tani.

Sipas RTE News, gjatë interpretimit të këngëtares izraelite, një i ri protestues arriti të depërtojë në skenë dhe të ndërpresë momentin artistik, duke brohoritur “Liri për Palestinën”.

Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë momentin kur sigurimi ndërhyn me forcë, duke e tërhequr, mbajtur dhe madje goditur të riun që tentoi të bllokonte performancën.

I riu, i identifikuar me emrin David, shihet në video ndërsa përpiqet të shprehë protestën e tij, por pjesëtarët e sigurimit jo vetëm që e largojnë me forcë, por edhe tentojnë t’i mbyllin gojën në mënyrë që të mos dëgjohej mesazhi i tij në sallë.