Pasuesi i Papa Françeskut, Papa Leoni XIV, ka dhënë përshëndetjen e tij të parë, njëherazi dhe mesazhin e parë nga Lozha e Shën Pjetrit, pas përzgjedhjes së tij nga konklava.
Ati i Shenjtë u lut për paqe në të gjithë botën, një paqe që vjen nga Zoti.
“Paqja qoftë me të gjithë ju.
Motra e vëllezër të dashur kjo është përshëndetja ime e parë. E dua që kjo përshëndetja ime e parë të jetë një mesazh për paqen në të gjithë botën. Paqja qoftë me ju. Një paqe që vjen nga Zoti. Nga Zoti që i do të gjithë, pa kushte”.
Papa Leoni XIV u shpreh se bota duhet të vijojë nën hapat e të ndjerit Papa Françeskut, zërin e të cilit e cilësoi si të fuqishëm dhe bekues.
“Ne duhet të vazhdojmë të dëgjojmë zërin e dobët, por të fuqishëm të Papa Françeskut, që bekoi Romën dhe ka bekuar të gjithë botën, në mëngjes e ditën e Pashkëve”.
Më tej, Ati i Shenjtë vijoi duke shprehur dashurinë e Zoti për të bijtë e Tij, e se bota ka nevojë për dritën e Tij.
“Ky mesazh thotë që Zoti ju do, Zoti ju do të gjithëve. E keqja nuk do prevalojë. Zoti ju do të gjithëve. Zoti është mes nesh. Bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Njerëzimi ka nevojë për dritën e Tij”.
Papa Leo XIV e përshkroi vizionin e tij për Kishën Katolike si një Kishë që “ndërton ura”.
“Ne duhet të përpiqemi së bashku të jemi një kishë misionare. Një kishë që ndërton ura dhe dialog”, tha Papa në fjalimin e tij në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit sot