Gazetari amerikan i “Politico”, Marc Caputo ka njoftuar përmes një njoftimi në llogarinë e tij në platformën “X” se Departamenti Amerikan i Shtetit ka lejuar Sali Berishën të udhëtojë për në SHBA.
“E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.
Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.