Ngjarja që tronditi opinionin publik shqiptar – goditja fizike e Gjestit nga Jozi brenda shtëpisë së Big Brother VIP – duket se ka marrë një kthesë të çuditshme dhe befasuese jashtë ekranit.
Pavarësisht se akti i Jozit u dënua gjerësisht si dhunë dhe çoi në ndërhyrjen e policisë e më pas arrestimin e tij pas daljes nga formati, numri i ndjekësve të këngëtarit në Instagram u rrit me rreth 15 mijë brenda pak orësh pas incidentit.
Kjo rritje e shpejtë në popullaritet ka habitur shumëkënd, sidomos në një kohë kur pritej që reagimi i publikut të ishte totalisht negativ.
Por “surpriza” nuk mbaron me kaq. Në TikTok janë shfaqur dhjetëra video që mbështesin veprimin e Jozit ndaj Gjestit, duke e paraqitur atë si një “hakmarrje për dinjitetin”, “reagim burrëror”, apo “më në fund dikush që s’u durua më”.
Këto postime kanë marrë mijëra pëlqime, komente dhe shpërndarje, duke krijuar një valë virale që po e përmbys pritshmërinë për një reagim shoqëror dënues ndaj dhunës.
Komentet pozitive në TikTok dhe Instagram variojnë nga “Bravo Jozi, dikush duhej t’ia tregonte vendin” e deri te “Gjesti e kërkoi vetë”, duke reflektuar një ndarje të fortë të opinionit publik dhe një normalizim shqetësues të dhunës si formë reagimi.
Kjo situatë ka ngjallur edhe reagime të shumta nga figura publike si Flor Binaj, Olsi Bylyku e të tjerë, të cilët kanë denoncuar jo vetëm dhunën, por edhe mënyrën si publiku e ka përqafuar ose relativizuar atë.