Është zbardhur dëshmia në polici e Jozefin Markut, i cili u arrestua mbrëmjen e kaluar pas incidentit të rëndë në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, ku goditi fizikisht Gjestin në momentin e eliminimit nga shtëpia.
Pas arrestimit, Jozi u dërgua në Komisariatin Nr. 6 në Tiranë.
Në deklaratën e tij para oficerëve të policisë, Jozi është shprehur se veprimi erdhi si pasojë e një provokimi të vazhdueshëm nga ana e Gjestit:
“Më ka provokuar gjatë gjithë lojës, nga gjaknxehtësia e qëllova. Nuk e durova më!”, – ka thënë Jozi gjatë marrjes në pyetje.
Akti i papranueshëm ndodhi gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, përballë një audience të gjerë kombëtare.
Veprimi u konsiderua i paprecedentë në historinë e spektaklit dhe ka nxitur reagime të forta nga publiku dhe institucionet.
Top Channel reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke dënuar çdo formë dhune dhe ritheksuar angazhimin ndaj standardeve të etikës profesionale dhe sigurisë së pjesëmarrësve.
Sipas deklaratës zyrtare të televizionit, produksioni nuk kishte asnjë informacion apo sinjal që mund të parashikonte një sjellje të tillë.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë me procedurat ligjore për hetimin e plotë të rastit, ndërsa publikun pritet ta mbajnë të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm.