Pas incidentit të ndodhur gjatë transmetimit live të mbrëmjes së djeshme në spektaklin “Big Brother VIP Albania”, ku ish-banori Jozi Marku goditi fizikisht konkurrentin Gjestin në momentin e eliminimit, televizioni Top Channel ka reaguar me një deklaratë zyrtare.
Në njoftim, Top Channel e cilëson ngjarjen si “një akt të papranueshëm dhune”, i cili u transmetua në kohë reale dhe u ndoq nga një publik i gjerë kombëtar.
“Top Channel dënon me vendosmëri çdo formë dhune dhe rithekson angazhimin e tij ndaj standardeve më të larta të etikës profesionale, përgjegjësisë publike dhe komunikimit të sigurt,” – thuhet në deklaratë.
Sipas televizionit, Big Brother Albania është një format që promovon lojën, spontanitetin dhe emocionin, por nuk toleron dhunën në asnjë formë. Ngjarja është vlerësuar si thellësisht në kundërshtim me frymën e programit dhe parimet themelore mbi të cilat funksionon platforma.
Top Channel thekson se produksioni nuk ka pasur asnjë informacion apo indicie që mund të parashikonte një sjellje të tillë dhe se incidenti ndodhi në mënyrë të papritur, pa provokim të lidhur me formatin.
Gjatë transmetimit, prezantuesi Ledion Liço reagoi menjëherë me një deklaratë para publikut:
“Një akt i dhunshëm, i papranueshëm dhe thellësisht shqetësues ndodhi në një moment që duhet të ishte fundi i një përvoje, jo fillimi i një reagimi të tillë. Kjo sjellje nuk përfaqëson vlerat e Top Channel dhe as ato të Big Brother Albania.”
“Ky incident nuk ishte i organizuar, i nxitur apo i parashikueshëm nga produksioni. Realiteti i një formati live mbart të papritura, por kjo nuk e justifikon kurrë dhunën.”
Top Channel ka nisur rishikimin e plotë të protokolleve të sigurisë dhe transmetimit, duke siguruar se do të merren të gjitha masat për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
Në fund të deklaratës, televizioni konfirmon se do të bashkëpunojë me institucionet përgjegjëse dhe se publiku do të informohet për çdo zhvillim të mëtejshëm.
“Integriteti i përmbajtjes, siguria e pjesëmarrësve dhe respekti për audiencën mbeten parime themelore të punës së këtij institucioni mediatik.”