Ngjarja tronditëse që ndodhi mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, ku konkurrenti Jozefin Marku goditi fizikisht Besart Kelmendin (Gjestin), vazhdon të shkaktojë reagime të shumta dhe emocione të forta në publik.
Sot, kanë reaguar zyrtarisht edhe prindërit e Gjestit, të cilët kanë ndarë dhimbjen dhe zhgënjimin e tyre përmes një postimi prekës në rrjete sociale.
“Ende jemi të tronditur dhe me një dhimbje shumë të madhe në zemër nga ajo që ndodhi mbrëmë në shtëpinë e Big Brother VIP”, thuhet në deklaratën e tyre. “Pamjet e dhunës fizike ndaj Gjestit ishin të vështira për t’u parë. Dhe akoma më të vështira për t’u përjetuar si njerëz që e njohim, e duam dhe e dimë sa zemërmirë dhe i pastër është.”
Ata shprehen se askush nuk meriton të dhunohet, as brenda një loje, as jashtë saj.
Sipas tyre, Gjesti hyri në atë shtëpi me respekt dhe mirësi, dhe nuk meritonte të përballej me një situatë të tillë.
“Dhimbja që ndjejmë është e madhe, por jemi krenarë për të. Krenarë që edhe në atë moment, zgjodhi të mos reagojë me dhunë. Krenarë që qëndroi i fortë dhe i qetë, edhe kur u sulmua padrejtësisht.”
Në përfundim të deklaratës, prindërit e Gjestit e shohin këtë postim jo thjesht si një reagim, por si një thirrje për drejtësi, reflektim dhe njerëzi.