Pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në spektaklin Big Brother VIP Albania, ku konkurrenti Joz Marku goditi fizikisht Besart Kelmendin (i njohur si Gjesti), Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar.
Në deklaratën për mediat, Policia bën me dije se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Jozefin Markut, 29 vjeç:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. M., 29 vjeç, pasi gjatë transmetimit të një reality show, ka qëlluar me pëllëmbë shtetasin B. K.” – thuhet në njoftim.
Akti i dhunshëm ndodhi gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të spektaklit, teksa Jozi po largohej nga shtëpia pas eliminimit.
Një gjest i thjeshtë nga Gjest Kelmendi – hapja e derës – u interpretua nga Jozi si provokim, duke e çuar këtë të fundit në një shpërthim të dhunshëm fizik dhe verbal.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ngjallën reagime të shumta nga publiku dhe figurat publike, ku shumica dënuan ashpër aktin dhe kërkuan që të merreshin masa të qarta.
Aktualisht, Jozefin Marku është i lirë, ndërkohë që ndaj tij vijon procedimi penal në Prokurori.