Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme qytetin e Prishtinës, ku një vajzë e re humbi jetën në rrethana tragjike në lagjen “Lakrishtë”.
Viktima, 26-vjeçarja Xheneta Ejupi, dyshohet të ketë rënë nga kati i 7-të i një ndërtese banimi, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, Xheneta jetonte me qira në atë apartament, ndërsa raportimet fillestare tregojnë se ajo mund të ketë qenë për një kohë të gjatë nën presion të madh psikologjik nga partneri i saj, 30-vjeçari Valmir Sheqiri.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ndaj Valmir Sheqirit është ndërmarrë masa e arrestit dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “nxitje në vetëvrasje”, ndërkohë që hetimet janë ende në zhvillim.
Me urdhër të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Lajmi i trishtë është konfirmuar edhe nga një familjar i viktimës përmes një postimi prekës në rrjete sociale, ku shkruhet:
“Te Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi.”
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në publik, ndërsa autoritetet janë në pritje të rezultateve të hetimit për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në këtë tragjedi.