Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Prizren, ku këngëtari Vllaznim Krasniqi u raportua i zhdukur nga bashkëshortja e tij, pasi nuk ishte kthyer në banesë për disa ditë.
Sipas Policisë, më 6 prill, këngëtari kishte shkuar për të performuar në një lokal nate në Topliqan të Suharekës. Por pas asaj nate, ai u zhduk pa lënë gjurmë, duke mos u kthyer më në shtëpi dhe as duke kontaktuar me familjen.
Bashkëshortja e tij, e shqetësuar, bëri denoncimin në Polici më 9 prill. Ajo përshkroi pamjen e jashtme të artistit, veshjen që kishte atë ditë, si dhe tatuazhet që ai mban në trup.
Por në një kthesë të papritur të ngjarjes, vetëm pak orë pas denoncimit, Vllaznim Krasniqi është paraqitur vetë në Stacionin Policor të Prizrenit, ku ka shpjeguar se është larguar me dëshirë dhe se nuk dëshiron të vazhdojë jetesën me bashkëshorten, për shkak të problemeve që thotë se kanë mes tyre.
Ai ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve kishte qëndruar në motele të ndryshme në Prizren, duke shmangur çdo kontakt me bashkëshorten.
Ngjarja ka bërë bujë në rrjetet sociale dhe ka nxitur reagime të shumta nga ndjekësit dhe fansat e këngëtarit.