Detaje të reja: Gjenden gjurmë ADN-je të një tjetër mashkulli në valixhen ku u gjet trupi i Ilaria Sulës – Dyshohet për…

Hetimet për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula kanë marrë një kthesë të re dhe të papritur.

Sipas raportimeve të gazetës italiane La Repubblica, gjurmë ADN-je që i përkasin një burri janë zbuluar në valixhen ku ndodhej trupi i pajetë i 22-vjeçares, i cili u hodh në një zonë pyjore pranë Romës.

Kjo zbulon një pistë të re hetimi dhe vëmendja tashmë është përqendruar tek babai i Mark Antony Samson, i dashuri filipinas i Ilarias dhe autori i dyshuar i krimit.

Megjithëse ai nuk është aktualisht nën hetim, prokurorët italianë nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të ketë pasur dijeni apo përfshirje indirekte në ngjarje.

Sipas dëshmisë së nënës së Samson, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në banesë kur ndodhi vrasja, por ajo vetë pranoi se ndihmoi të birin të fshihte gjurmët e gjakut pas aktit makabër.

Tashmë pritet që babai i Mark Samson të merret sërish në pyetje, ndërsa ekspertët do të analizojnë nëse profili i tij gjenetik përputhet me ADN-në e gjetur në valixhe.

Ky zhvillim rrit dyshimet për një përfshirje më të gjerë në fshehjen e krimit dhe lë vend për një hetim më të thelluar mbi rolin që mund të kenë luajtur të afërmit e autorit pas vrasjes.