Mark Samson, 23-vjeçari filipinas i arrestuar për vrasjen brutale të studentes shqiptare Ilaria Sula në Romë, i ka dërguar një letër familjes së saj nga burgu “Regina Coeli”, ku aktualisht ndodhet në arrest.
Në letrën e tij, Samson kërkon falje për veprën makabre:
“Çdo ditë mendoj për krimin mizor që kam bërë dhe nuk di çfarë të them, por mbi të gjitha nuk e di se çfarë më ka ndodhur. Është banale të kërkoj falje për dhimbjen që kam shkaktuar, por dua t’i kërkoj falje Ilarisë dhe nuk desha ta lija. Unë jam çmendur nga pikëllimi dhe kam humbur kontrollin. Jam i vetëdijshëm se asgjë që mund të them apo të bëj sot nuk do ta lehtësojë qoftë edhe pak dhimbjen e familjes. Nuk po përpiqem të zvogëloj përgjegjësitë e mia apo të shpëtoj nga pasojat e veprimeve të mia. Jam gati të paguaj mëkatet e mia pa asnjë justifikim. MS”
Por ndjesa e tij nuk është pritur mirë nga familja e Ilaria Sulës, e cila nëpërmjet avokatit Giuseppe Sforza thekson:
“Teksti i kësaj letre duket më shumë si një pasqyrim i vetes së tij, pa asnjë vëmendje reale ndaj peshës së veprës së kryer. Secili ka të drejtën të shkruajë, por gjithashtu prindërit e Ilarias, gjithë familja e saj, vëllai dhe të tjerët, kanë të drejtën të mos i pranojnë këto ndjesa. Letra nuk fshin mizorinë e asaj që është kryer.”
Mark Samson po mbahet nën vëzhgim të rreptë nga autoritetet, për shkak të frikës se mund të ndërmarrë veprime vetëlënduese.
Ngjarja, e ndodhur pak javë më parë, vazhdon të tronditë shoqërinë italiane, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur çdo detaj të krimit që i mori jetën 22-vjeçares shqiptare me të ardhme të ndritur.