Skandal/ Presidenti i Federatës Ruse, sulmon përfaqësuesin e Shqipërisë gjatë ceremonisë (Video)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kampionatin Europian të Mundjes në Bratislavë, ku sporti u errësua nga një akt dhune i paprecedentë.

Mikhail Mamiashvili, presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresident i Federatës Botërore, sulmoi fizikisht kampionin europian Chermen Valiev – i cili ngriti lart flamurin shqiptar në skenën më të madhe të kontinentit.

Gjatë momentit të ndarjes së medaljeve, Mamiashvili e vendosi me forcë medaljen në qafën e Valievit, më pas e shtyu dhe e quajti “tradhtar”, për shkak të zgjedhjes së sportistit për të përfaqësuar Shqipërinë në vend të Rusisë.

Por pavarësisht provokimeve dhe agresionit, Valiev mbeti i qetë dhe krenar, duke ecur i patundur drejt majës së podiumit, pas një fitoreje të pastër 4-2 ndaj rusit Sidakov.

Krahas Valievit, një tjetër shqiptar shkëlqeu në arenën europiane: Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e bronztë me një fitore të jashtëzakonshme 11-0 ndaj moldavit Colesnic.