Vrasja e Ilaria Sulës, 22-vjeçares shqiptare që po studionte në Romë, vazhdon të jetë një ndër temat më të diskutueshme në mediat italiane.
Ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, një dëshmi rrëqethëse e mikut të autorit, Maher Abouzeid, ka dalë në dritë, duke sjellë detaje të reja mbi sjelljen çnjerëzore të Mark Antony Samson, pas aktit të tmerrshëm.
Maher, një i ri gjysmë-egjiptian e gjysmë-filipinas, tha në dëshminë e tij për hetuesit:
“Natën pasi kreu krimin, u takuam. Duart e tij ishin të fryra. Më tha se ishte përleshur me dy djem para shtëpisë së Ilarias… Por ishte një gënjeshtër. Fillimi i të gjitha gënjeshtrave.”
Duke kujtuar netët që pasuan, Maher rrëfen me tronditje se si Mark Samson shkoi të festonte me të sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
“Më pas ai filloi të qeshte, të këndonte dhe të bënte shaka. U njohëm me dy turiste polake, kaluam natën me to deri në orën 3 të mëngjesit. Ato na ftuan dhe në shtëpinë e tyre. Por nuk e imagjinoja dot që Ilaria ishte e vdekur në atë moment…”
Detaji më tronditës i dëshmisë është frika e Markut për makinën e tij:
“I thashë të flinte te unë, por ai nuk pranonte ta linte makinën vetëm. Kishte tmerr, si të donte të ishte pranë asaj që kishte bërë. Tani e kuptoj… ai e dinte që trupi i Ilarias ishte ende në bagazh.”
Çdo dëshmi e re, çdo detaj që del, e bën edhe më të padurueshme dhimbjen e familjes Sula, që tashmë kërkon vetëm një gjë: drejtësi për Ilarian.