Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja rreth vrasjes makabre të studentes shqiptare 22-vjeçare, Ilaria Sula, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik në të dy vendet.
Sipas hetimeve, autori i dyshuar është i dashuri i saj, Mark Antony Samson, 23 vjeç, i cili më 25 mars 2025 e goditi tri herë me thikë në fyt, brenda banesës ku jetonte me familjen në periferi të Romës. Ngjarja ndodhi pas një debati mes çiftit.
Më tronditës është fakti se trupi i pajetë i Ilaria-s u mbajt i fshehur për më shumë se 20 orë në dhomën e Samson-it. Më pas, ai e futi trupin në një valixhe dhe e transportoi në një zonë të largët, rreth 40 kilometra nga Roma. Kufoma u gjet një javë më pas, në gjendje të rënduar dekompozimi.
Autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore “La Sapienza” konfirmoi se vdekja ishte pasojë e një hemorragjie të rëndë të shkaktuar nga plagët e thella në qafë. Gjithashtu, janë konstatuar shenja që tregojnë se viktima ka tentuar të vetëmbrohet gjatë një përleshjeje fizike.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjurmë gjaku si dhe prova që sugjerojnë përpjekje për të fshirë gjurmët e krimit, duke shtuar dyshimet për tentativë për të fshehur të vërtetën.
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së të afërmve të autorit në ngjarje. Targat e makinës së familjes së Samson-it janë regjistruar nga një kamera sigurie në afërsi të zonës ku u gjet trupi, dhe prindërit e tij kanë dhënë deklarata kontradiktore për vendndodhjen e tyre në natën kritike.
Samson ka pranuar autorësinë e vrasjes, duke thënë se “humbi kontrollin” dhe nuk kishte qëllim të vriste. Ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për vrasje me dashje dhe fshehje të kufomës, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për armën e krimit dhe prova të tjera që mund të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat.
Protesta dhe homazhe për Ilarian
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, në Itali janë zhvilluar protesta në mbështetje të kërkesës për drejtësi. Në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku Ilaria studionte, qindra studentë u mblodhën në heshtje për të zhvilluar homazhe në kujtim të saj.
Të rinjtë, të përlotur, vendosën lule pranë një fotografie të Ilaria-s dhe më pas ngritën simbolikisht çelësa në duar – një akt që simbolizonte thirrjen ndaj institucioneve për të “hapur dyert e drejtësisë” dhe për të mos lejuar që ky krim të kalojë në heshtje.