Dalin detaje të tjera tronditëse: Autori postonte në rrjetet e saj sociale, trupin e fshehur në valixhe

Detaje tronditëse janë zbardhur rreth vrasjes së 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, trupi i së cilës u gjet brenda një valixhe në pyll.

Sipas mediave italiane, trupi i pajetë i studentes që rezultonte e zhdukur që prej 25 marsit, është gjetur në një zonë të pyllëzuar pranë Bashkisë së Polit, duke gdhirë të mërkurën e 2 prillit.

Ish-i dashuri, 23-vjeçari me origjinë filipinase, u arrestua dhe u akuzua për vrasje dhe fshehje të kufomës.

Marc Samson , student i arkitekturës dhe punonjës i McDonald’s, pasi ka rrëfyer krimin ka dërguar policinë në vendin e ngjarjes dhe zonën ku kishte fshehur trupin e shqiptares.

Ai ka treguar se 22-vjeçaren e ka goditur disa herë me thikë në trup, në apartamentin ku jeton dhe më pas ka hequr qafe trupin duke e mbyllur në një valixhe.

Nga ana tjetër tabulatet telefonike të vajzës kanë shërbyer si provë e fortë në zbardhjen e ngjarjes pasi në ditët e zhdukjes së saj, 23-vjeçari dyshohet se përdori celularin e shqiptares për të postuar story në profilin e rrjeteve sociale të saj duke “çoroditur” kërkimet dhe hetuesit.

Prej një jave, miqtë dhe të afërmit kishin nisur thirrjet për kërkime. Më 25 mars, ajo u largua nga shtëpia që ndan me disa shoqe në zonën e San Lorenzos dhe nuk u kthye më.

Prindërit e denoncuan si të humbur në komisariatin e San Lorenzos dhe nisën kërkimet për gjetjen e saj. Hipoteza e parë ishte se ajo ishte larguar nga shtëpia pas ndarjes me të dashurin, por ajo nuk kishte marrë asgjë me vete.