E rëndë/ Gropa hapet në mes të rrugës, humb jetën i riu me motor (Video)

Një burrë që po udhëtonte me motorr në lagjen Gangdong të kryeqytetit të Koresë së Jugut në Seul ka gjetur vdekjen pasi ra në një gropë të madhe që u hap papritmas në mes të rrugës.

Ngjarja ka ndodhur të hënën, kur në rrugë u hap papritmas një gropë e madhe duke thithur kështu shoferin me gjithë motorr.

Ekipet e shpëtimit e gjetën trupin e burrit të martën në mëngjes, në orën 11:00 me orën lokale, rreth 50 metra larg vendit ku ai kishte rënë. Identiteti i burrit, rreth 30 vjeç, nuk bëhet i ditur.

Sipas BBC, gropa me përmasa 20 metra e gjerë dhe 20 metra e thellë, ka shkaktuar shqetësim të madh, ndërsa në internet po qarkullojnë pamjet e kamerave që regjistrojnë momentin e hapjes së gropës.

Në video shihet se si motoçikleta bie kur hapet gropa në rrugë, ndërkohë që makina përpara arrin ta shmangë çastin fatal në momentin e fundit.