Prokuroria, 3 vite burg dhe shërbim prove për Antonela dhe Mariela Berisha

Prokuroria e Tiranës ka paraqitur pretencën për Antonela dhe Mariela Berisha, të akuzuara për sulmin ndaj Klea Prengës gjatë verës së kaluar.

Sipas prokurorit Ndini Tavani, për Mariela Berishajn, e cila aktualisht ndodhet në “arrest në shtëpi”, është kërkuar një dënim me 3 vite burg, që në rast të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 2 vite burgim.

Ndërkohë, për Antonela Berishën u kërkua 3 vite shërbim prove, të cilat, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, do të zbresin në 2 vite shërbim prove.

Të dyja motrat u vetëdorëzuan në polici në tetor 2024 dhe akuzohen për “plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

Vendimi përfundimtar pritet të jepet nga gjykata në ditët në vijim.